𝗚𝗷𝗲𝗿𝗺𝗮𝗻𝗶 | 𝗣𝗮𝗴𝗮𝘁 𝗲 𝗽𝗿𝗮𝗸𝘁𝗶𝗸𝗮𝗻𝘁ë𝘃𝗲 𝗶 𝗸𝗮𝗹𝗼𝗷𝗻ë 𝗽ë𝗿 𝗵𝗲𝗿ë 𝘁ë 𝗽𝗮𝗿ë 𝟭𝟬𝟬𝟬 𝗲𝘂𝗿𝗼
Vitin e kaluar, praktikantët për herë të parë fituan mesatarisht paga katërshifrore në muaj. Megjithatë, ka dallime të mëdha në të ardhurat midis profesioneve.
Mobilizimi i përbashkët i shtetit dhe i sipërmarrjeve në Gjermani për të trajnuar dhe aftësuar teknikisht punonjësit është një nga elementët e suksesit të ekonomisë gjermane. “Kualifikimi dual” është një model gjerman, të cilin e kanë kopjuar e përshtatur disa vende evropiane. Në kuadër të këtij sistemi të dyfishtë trajnimi, praktika apo stazhi i të rinjve në një sipërmarrje kryhet krahas arsimit profesional edhe në një shkollë profesionale. Të rinjve në moshat tipike të arsimit 15-24 vjeç, që vendosin të punojnë në një sipërmarrje, sipërmarrja u financon studimin paralel në një shkollë profesionale. Kjo është pjesë e përgjegjësisë sociale të sipërmarrjeve në Gjermani, të cilën shteti gjerman e nxit dhe e bashkëfinancon.
Atraktiviteti i kualifikimit dual në Gjermani bazohet në faktin se sipërmarrjet që i trajnojnë të rinjtë u garantojnë atyre në fund një vend pune të përhershëm. Të rinjtë gjithashtu paguhen nga sipërmarrja për praktikën që bëjnë te ajo.
Instituti Federal i Formimit Profesional (BIBB) bëri të ditur të mërkurën (08.02.) se të ardhurat e praktikantëve u rritën ndjeshëm vitin e kaluar. Mesatarisht, për herë të parë praktikantët në sipërmarrjet e kontraktuara fituan më shumë se 1000 euro gjatë gjithë viteve të trajnimit. Në përgjithësi, kompensimi u rrit me 4.2 për qind, krahasuar me 2.5 për qind një vit më parë. Në perëndim të ardhurat mesatare ishin 1029 euro, në lindje 1012 euro.
Dallimet ishin më pak të theksuara sipas vendndodhjes. Pagat e praktikantëve janë më të lartat në Baden-Württemberg (1.077 euro në muaj) dhe më të ulëtat në Schleswig-Holstein (1.003 euro).
Kjo nuk shpjegohet vetëm nga marrëveshjet kolektive rajonale, por edhe nga shpërndarja sipas sektorëve: në Baden-Württemberg, praktikantët janë veçanërisht të shumtë në industri dhe tregti, ku pagat janë më të larta, ndërsa në Schleswig-Holstein, ata punojnë në artizanat, të paguar më pak.
Bojaxhinjtë dhe bukëpjekësit ende paguhen keq.
Pagat ndryshojnë shumë sipas profesioneve. Praktikantët fitojnë më shumë në profesionin e marangozit, me 1254 euro në muaj. Muratorët, ndërtuesit e tubacioneve dhe punonjësit tregtarë në sektorin bankar dhe të sigurimeve morën gjithashtu paga mbi mesataren.
Nga ana tjetër, praktikantët që dëshirojnë të bëhen bojaxhinj, bukëpjekës, oxhakpastrues apo parukierë paguhen relativisht pak. Kompensimi i tyre ka qenë prej 850 euro e më pak. Profesioni i këpucarit ortoped ishte në fund të paketës. 652 euro kanë fituar praktikantët në këtë profesion.
Interesa të ndryshuara
Të rinjtë e interesuar për kualifikimin dual në Gjermani zgjedhin vitet e fundit më shumë sektorë të industrisë së shërbimeve dhe më pak industrinë, tregtinë dhe artizanatin. Në vitin 2022, 33 deri 50 përqind e vendeve të kualifikimit që mbetën bosh ishin në industri, të pasuar nga hoteleria (67%) si dhe transporti dhe logjistika (54%). Vetëm në rastin e shërbimeve të orientuara nga biznesi, shifra e vendeve bosh ishte më e vogël (26%). Në degë me rëndësi vitale për ekonominë gjermane, si në industrinë e automobilëve, në ndërtimin e makinerive dhe në tregti po thellohet shndërrimi strukturor.
Veçanërisht të preferuara për praktika nga të rinjtë janë tregtia me pakicë, zyrat dhe sektori automobilistik. Interes i madh ishte për praktika për t’u bërë punonjës tregtar në menaxhimin e zyrës, shitës si dhe inxhinierë mekatronikë të automjeteve dhe asistent-mjek. Rritje të numrit të praktikantëve në vitin 2022 pati edhe në profesionet e TI-së si informatikë e specializuar. Ky profesion pati një rritje prej 5% të numrit të praktikantëve, madje tregtia online (E-Commerce) panë një rritje prej 26%. Numri i praktikantëve në sistemin e gastronomisë u rrit me 18 për qind.
Mungesa e praktikantëve i vë shumë sipërmarrje para problemeve: atyre u është dashur të shkurtojnë oraret e hapjes, të refuzojnë porositë dhe të zhvendosin jashtë sipërmarrjes shërbimet.
Për ta kompensuar këtë, shumë sipërmarrje po thellojnë digjitalizimin. Shteti ka ofruar gjithashtu ndihmë. Në janar të këtij viti, ministri gjerman i punës Hubertus Heil shpalli miratimin së shpejti të një ligji të ri për formimin e vazhduar. Në kuadër të tij do të ofrohet një garanci praktike e trajnimi për të rinjtë. Për praktikantët do të mbulohen shpenzimet e udhëtimit për në familje. Shteti gjerman do t’u paguajë edhe udhëtimet për në vendin e praktikës, atyre që kanë përfunduar shkollat. “Nëse dikush nuk mund të gjejë një praktikë në zonën veriore të Ruhrit, për shembull, por ekziston mundësia e një kursi orientimi profesional në Këln, ne e mbështesim atë duke marrë përsipër kostot e strehimit dhe lëvizjes,” tha Heil.
Ka ndryshuar edhe niveli i aplikuesve për të kryer praktika. Kualifikimin dual ose profesional po vendosin ta ndjekin gjithnjë e më shumë maturantë. Brenda 10 viteve të fundit ky numër është rritur nga 35 në 47,4 përqind. Kjo i vështirëson shanset për të siguruar një vend praktike për të rinj që nuk kanë përfunduar shkollën./DW/