𝗗𝗼𝗸𝘁𝗼𝗿ë𝘁 𝗾ë 𝗹𝗮𝗻ë 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗺𝗮𝗻𝗶𝗻ë 𝗽ë𝗿 𝘁𝘂 𝗸𝘁𝗵𝘆𝗲𝗿 𝗻ë 𝗞𝗼𝘀𝗼𝘃ë
Remzi Gashi, specialist i kirurgjisë abdominale, Besnik Ismajli, specialist në mjekësi interne dhe gastroenterologji dhe Arton Grajqevci, specialist i urologjisë, së fundmi janë bërë pjesë e ekipës së spitalit privat Olive. Të tre doktorët janë kthyer në Kosovë, për të sjellur eksperiencat kontributin dhe risitë që Kosovës i mungojnë.
Kohëve të fundit, lajmet për ikjen e punëtorëve e veçanarisht të doktorëve, nga Kosova për në vendet evropiane nuk kanë qenë të pakta.
Por, fillimi i viti 2023, ishte ndryshe. Janë tre doktorë kosovarë që për më shumë se 20 vite, punojnë dhe veprojnë në Gjermani, që vendosën dhe u kthyen në vendin e tyre të lindjes, për të sjellur të gjitha eksperiencat, kontributin dhe risitë që Kosovës i mungojnë.
Pavarësisht se i kishin të gjitha kushtet nëpër spitalet më të mira në Gjermani, Remzi Gashi, specialist i kirurgjisë abdominale, Besnik Ismajli, specialist në mjekësi interne dhe gastroenterologji dhe Arton Grajqevci, specialist i urologjisë, së fundmi janë bërë pjesë e ekipës së spitalit privat Olive.
Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, doktorët e kthyer nga Gjermania në Kosovë, u shprehën shumë entuziastë për mundësinë që spitali Olive, ua ka ofruar që ata të sjellin në vendin e tyre gjithë dijen dhe përvojën e fituar për më shumë se 20 vite në spitalet në Gjermani.
Gashi, Ismajli dhe Grajqevci, treguan se janë në konsultime edhe me rreth 20 doktorë të tjerë kosovarë që veprojnë në Evropë, që sa më shpejt t’i bashkohen ekipit mjeksor të spitalit Olive.
“Prioritet dhe kërkesa jonë kryesore kanë qenë kushtet e punës. Fatmirësisht spitali Olive na ka ofruar të gjitha që ne me teknologjinë më moderne të aparaturës të kemi mundësi të kryejmë punën tonë. Do të kemi mundësi të kryejmë shumë operacione për të cilat, një pjesë e kosovarëve po shkojnë në Turqi.Tash e tutje këto shërbime do të ofrohen edhe në spitalin Olive. Ekipit mjeksor të Oliv-it së shpejti do t’i bashkohen edhe 20 doktorë kosovarë që kanë kryer specializimet në vendet e Evropës ”, kanë thënë doktorët e kthyer nga Gjermania.
Ata kanë folur edhe për vështëritë që kanë pasur për të marr vendimin e kthimit, duke pasur parasysh që që të tre janë familjarë.
“Dashuria për vendin tënd gjithmonë shkon e rritet dhe fatmirësisht edhe fëmijët kanë qenë të pajtimit që të kthehen në Kosovë, sepse qëllimi ka qenë gjithmonë se një ditë kjo do të ndodh. Jam i lumtur që pas 26 viteve unë arrita ta plotësoj qëllimin tim” ka thënë dr.Grajqevci i cili kthehet në vend pas 26 viteve qëndrimi në Gjermani.
Të tre specialistët e fushave të ndyshme të mjeksisë që u shkolluan në Gjermani, kërkojnë nga kosovarët që mos t’i anashkalojnë spitalet në Kosovë, pasi sipas tyre spitali Olive, ofron të gjitha intervenimet e mundshme e edhe ato më të komplikuara për të cilat qytetarët po drejtohen në vendet e rajonit dhe Evropës.