𝗕𝗲𝗿𝗶𝘀𝗵𝗮: 𝗚𝗷𝗲𝗻𝗱𝗷𝗮 𝗲 𝘀𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶𝘀ë 𝗻ë 𝘃𝗲𝗿𝗶 ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗲 𝗿𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲, qeveria të ndërmarrë masa
Situata e krijuar gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës, për shkak të shpërthimeve dhe të shtënave me armë, ka bërë që të ketë reagime të shumta.
Për shkak të kësaj situate, nga disa reagime është thënë se zgjedhjet në veri duhet që të shtyhen patjetër në mënyrë që të qetësohet situata atje. Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Hisen Berishën, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Berisha, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se gjendja në veri është shumë e rrezikshme si pasojë e mbështetjes së grupeve kriminale serbe nga qeveria e Serbisë.
“Gjendja e sigurisë në veri
është shume e rrezikshme, si pasojë e mbështetjes së grupeve kriminale serbe nga qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiq, po ashtu, edhe nga strukturimi i tyre atje, si pasojë e aktivitetit kriminal ekonomik e politik të këtyre grupeve kriminale një kohë të gjatë. Por edhe për shkak të vendimeve politike të Qeverisë së Kosovës, të pa-harmonizuara me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo vërejtje e imja dhe e opozitës për Qeverinë, nuk do të thotë se unë si deputet dhe PDK, nuk jemi duke e mbështetur qeverinë në zbatim të ligjit dhe në këtë rast i kërkoj Qeverisë që të rris kapacitetet e sigurisë, të ndajë mjetet e nevojshme financiare, logjistike, njerëzore me u ballafaqua me çdo situatë, mundësitë janë”, ka thënë deputeti nga PDK.Ai ka shtuar se duhet që sa më shpejtë që Qeveria të tregojë fuqinë e vet dhe t’i mbrojë objektet në atë pjesë.
“U pa se objektet e institucioneve shtetërore në atë pjesë janë të rrezikuara. Andaj, duhet sa më shpejt qeveria të tregoj fuqinë e vetë dhe t’i mbrojë ato objekte nga vandalizmi i grupeve kriminale serbe të infiltruara”, ka vijuar në deklaratën e tij deputeti.
Tutje, Berisha ka thënë se qeveria duhet të ndërmarrë disa veprime për uljen e këtyre tensioneve, sikur që është rritja e kapaciteteve të sigurisë në veri.
“Qeveria duhet të ndërmarrë disa veprime për uljen e këtyre tensioneve: 1. Të rris kapacitetet e veta të sigurisë në veri dhe të jetë konsistente dhe të tregoj vendosmëri në vendosje të rendit dhe ligjit; të ju ofroj serbeve lokale atje mbështetje për integrim; si dhe të rris kapacitetet e veta në dialog. Kur them të rris kapacitetet e veta në dialog, mendoj se qeveria duhet ta shtrijë debatin me shoqërinë civile, opozitën, dhe të gjitha segmentet që e bëjnë shoqërinë në Kosovë, dhe të jetë proaktive ndaj detyrimeve që ka marrë. Por, të jetë e kujdesshme mos të bëjë marrëveshje të dëmshme, siç janë bërë tri marrëveshjet e fundit (marrëveshjen për udhëzuesin për implementimin e marrëveshjes për energji; marrëveshjen për lëvizje të lirë; dhe marrëveshjen për targa;) qe në fakt janë marrëveshje anti-kushtetuese, shto faktin se në marrëveshjen e fundit për targa, qeveria mori zotim edhe për formimin e asociacionit me komuna me shumicë serbe, në paragrafin tre, të asaj marrëveshje”, ka thënë ai.
“Prandaj, është shumë me rëndësi që qeveria të bëhet proaktive dhe të nis statusin e asociacionit, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 2. Së dyti, Qeveria nëse nuk i merr këto veprime atëherë ka një skenar të tmerrshëm për Kosovën, duke e kthyer situatën e para vitit 2011 dhe duke ju krijuar hapësirë serbëve për pretendimet e tyre për autonomi speciale në veri. I gjithë ky dyshim imi vjen nga sjellja e deritashme e qeverisë në raport me dialogun, mos-transparenca në dialog dhe për planin franko-gjerman dhe marrëveshjet antikushtetuese që i ceka më lartë”, ka vijuar Berisha.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për asociacionin duke thënë se, shikuar nga zhvillimet e deritanishme, ai mendon se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të krijohet.
“I ceka më lartë, se arsye kryesore e këtyre incidenteve është që pala serbe të krijojë avantazh në dialog. Po ashtu, tashmë po pretendohet shndërrimi i Kosovës në treg serb, e kjo mund të bëhet vetëm nga pozita e Kryeministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Realisht sipas statistikave, tashmë kjo ka ndodhë! Afër 500 milionë euro është bilanci tregtar me Serbinë. Krijimi ose jo, i asociacionit, është bërë çështje me qëllim që t’i japin sa më shumë jetë kësaj tregtie dhe status-quosë politike. Jam plotësisht i bindur se krijimi i asociacionit ia hjek Serbisë mundësinë e determinimit të zhvillimeve ekonomiko-politike të Republikës së Kosovës dhe në të gjitha format kjo situatë pavarëson shtetin tonë. Shikuar nga zhvillimet e deritanishme, mendoj se Asociacioni nuk do të krijohet, edhe dy drejtuesit shtetëror në Beograd e Prishtinë, do ta përdorin si retorikë për kusuritje politike me rivalët e brendshëm për t’i ulur edhe për të vazhduar “patriotizmin” shtetëror reciprokisht!”, ka thënë Berisha.