𝐔 𝐩𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐮𝐚 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢 “𝐒𝐇𝐌𝐋 𝐞 𝐀𝐫𝐭𝐢𝐭 𝐏𝐚𝐦𝐨𝐫 “𝐀𝐝𝐞𝐦 𝐊𝐚𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐢” 𝐧ë 𝐆𝐣𝐢𝐥𝐚𝐧 𝟐𝟎𝟏𝟐-𝟐𝟎𝟐𝟐”, i autorit mr.sc. Avni Xh. Behluli
Në përvjetorin e dhjetë jubilar të Shkollës së Mesme të Lartë të Arteve Pamore “Adem Kastrati”, në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” është promovuar libri i autorit mr. sc. Avni Xh. Behluli me titull “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan 2012-2022”, që është një publikim i rrallë ndër ne.
Dr. Sc. Hevzi Muharremi, recensent i librit, ka thënë se kjo shkollë është e dyta e tillë në Kosovë, pas asaj në Pejë, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në Rajonin e Gjilanit, por edhe më gjerë . Muharremi duke folur për autorin e këtij libri
ka thënë se ai është një krijues i mirëfilltë, kurse pos vlerave të mëdha artistike që ka krijuar Avni Behluli, ai ka krijuar një monografi serioze e tejet sfiduese. Pasi ka folur për përmbajtjen e librit nëpër kapituj, dr. Hevzi Muharremi, tha se në këtë libër autori sjell fakte, argumente, faksimile, dokumente, punime, vlerësime e çka jo tjetër, ai flet për grupin nismëtar, duke shtuar se kjo monografi do të jetë shtytëse edhe për autorë të tjerë për të punuar në këtë drejtim, transmeton kryelajmi.com.“Libri i Avni Behlulit “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan 2012-2022”, është një libër gjithëpërfshirës dhe një libër me shumë vlerë”, ka thënë dr. Sc. Hevzi Muharremi.
Mehmetali Rexhepi, lektor i librit, punimin e tij e ka titulluar “Personazhi dhe autori në një monografi”, duke vlerësuar se Avni Xh. Behluli në mënyrë kronologjike ka paraqitur tërë veprimtarinë prej një ideje e deri te rrumbullakimi i asaj ideje e që ishte themelimi i “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan.
Sipas Rexhepit, Behluli ndjek kronologjinë e ngjarjeve, ai shkruan me një stil dokumentar, shkrimin e pasuron me faksimile, foto, pasqyra, tabela, artikuj gazetash, shkresa, pllakate, punime artistike e çka jo tjetër, andaj ai ka arsye të ndjehet i përmbushur.
Shefik Shkodra, redaktor i librit, ka thënë se libri i autorit Avni Xh. Behluli është i rëndësishëm, i lehtë për lexim, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm, me tërësi korpusi dhe kronikë e plotë. “Behluli ishte nismëtar i themelimit të kësaj shkolle dhe në të njëjtën kohë, ai i pati të gjitha faktet për të realizuar këtë monografi”, ka thënë redaktori Shefik Shkodra.
Avni Behluli, autor i librit, në mënyrë kronologjike ka rrëfyer për të gjitha vështirësitë, por edhe për tërë punën e bërë deri në themelimin e kësaj shkollë, e cila kërkoi shumë mund, sakrificë e deri në disa vite për t’u realizuar. Ai nuk la pa përmendur edhe të gjithë protagonistët në këtë rrugëtim, foli për rolin e të gjithëve, gjë për të cilën i ka falënderuar. Në shenjë përkushtimi për kontributin e dhënë, me mirënjohje post mortum është nderuar Hafiz Gashi, ish-drejtor si dhe Qemajl Mustafa, ish-kryetar i komunës së Gjilanit e në këtë përurim, me një fjalë rasti është paraqitur edhe Emrush Qamili, ish-drejtor në dy shkolla të Gjilanit, i cili librin e cilësoi me vlerë, por pa harruar se në të kaluarën pati edhe probleme dhe vështirësi, të cilat me punë, vullnet e përkushtim u tejkaluan.