𝐎𝐑𝐂𝐀:Plagjiatorët vazhdojnë punën në universitet ndërsa denoncuesit e plagjiaturës arrestohen
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka thënë se pas aksionit të sotëm, në vend që të largohet nga objekti plagjiatori Bujar Dugolli, u larguan aktivistët që po e pengojnë plagjiaturën, raporton Gazeta10.
Sipas kësaj organizate, kjo e tregon fytyrën e vërtetë të sistemit arsimor, sistemit të hetimeve dhe drejtësisë në Kosovë.
“Në qershor të këtij viti u shpallën plagjiatorë Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, masat ndëshkimore nga Këshilli i Etikës ishin qesharake, mos mentorim i temave të diplomës nga ana e plagjiatorëve”.
“Ndërsa sot, për aksionin protestues kundër plagjiatorëve, aktivistët Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha u intervistuan nga Policia e Kosovës si të dyshuar për veprën penale Pengim i Personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, që dënohet me burgim nga tre muaj në tre vite, kur në fakt nuk u pengua personi zyrtar, por plagjiatori zyrtar – Bujar Dugolli”.
“Aktivistët e ORCA-s në mënyrë paqësore shprehën protestën e tyre për një çështje të interesit publik siç është arsimi cilësor. Kategorizimi i aksionit paqësor si pengim i personit zyrtar nga Policia është i dëmshëm dhe dekurajon të tjerët për ushtrimin dhe gëzimin e të drejtës në protestë paqësore, e drejtë kjo që është e mbrojtur me Kushtetutë”.
“Publikut po ia bëjmë me dije se ne në ORCA nuk e kemi ndërmend të ndalemi as të zmbrapsemi deri sa plagjiatorët të mbesin jashtë institucioneve të arsimit në Kosovë. Plagjiatura nuk do të kalojë dhe rezistenca ndaj mashtruesve vetëm sa do të rritet”./Gazeta10.